Autor
Joan Kolev
Artikull
Dielë 4 Janar 2026 07:00
Dielë, 4 Janar 2026, 07:00
Rajna Manxhukova
FOTO: aba.government.bg
Madhësia e shkronjave
Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit (IABÇ) mbylli një vit të vështirë, por të suksesshëm. Mbi 1000 janë organizatat bullgare në mbarë botën, me të cilat Agjencia vazhdon dhe thellon bashkëpunimin e saj, dhe përveç kësaj, ekipi i saj i bashkuar arriti të përgatisë dhe të realizojë një sërë iniciativash, vizitash dhe takimesh të rëndësishme për bashkatdhetarët tanë jashtë kufijve – secila prej tyre shihet si vëmendje dhe njohje nga ana e shtetit bullgar. Gjatë vitit të kaluar 2025 u realizuan vizitat e para në Skandinavi:
“Suedia, Danimarka dhe Norvegjia në vitet e mëparshme nuk ishin fare në fokusin e Agjencisë. Një nga arsyet është se këto janë vende ku praktikisht nuk ka emigracion të vjetër” – shpjegoi drejtoresha ekzekutive Rajna Manxhukova në një intervistë përmbledhëse për Radio Bullgarinë. – “Vetëm në qytetin suedez Malmo ekzistonte një organizatë që festoi 40 vjet nga krijimi i saj – Bashkësia kishtare bullgare ‘Shën Hyjlindësja’.
Festa e Krishtlindjeve e Bashkësisë Kishtare Bullgare "Shën Hyjlindësja" në Malmo
FOTO: Kisha Ortodokse e Nënës së Shenjtë të Zotit në Malmo/Facebook
Në Norvegji, nga ana tjetër, komuniteti bullgar fillon të formohet vetëm në shekullin XXI. Ata nuk i kanë traditat e organizatave të mëparshme, është shumë më e vështirë të arrihet tek ata dhe të vendosen kontakte. Prandaj, i kishim vënë vetes si qëllim të vendosnim kontakt me bullgarët në këtë pjesë të Evropës Veriore. Në fund të vitit 2024 arritëm të vizitonim Suedinë dhe Danimarkën, ndërsa në vitin 2025 – Finlandën dhe Norvegjinë, ku zbuluam njerëz dhe organizata të reja, interesante, që kanë dëshirë të jenë të bashkuar, dhe ne kemi dëshirë t’i ndihmojmë.”
7735 janë bashkatdhetarët tanë që kanë zgjedhur të jetojnë dhe të punojnë në Norvegji, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë. Rezulton se komuniteti ynë atje nuk është aspak i vogël dhe për këtë arsye që nga viti 2025 vendi ynë ka konsullin e vet të nderit – pianistin Kirill Kutin.
Rajna Manxhukova dhe Kirill Kutin
FOTO: Ambasada e Bullgarisë në Oslo
Qëllim i IABÇ për vitin 2026 është të vendosë kontakte me bullgarët në vendet baltike – Lituani, Letoni dhe Estoni:
“Vetëm në Letoni ka një organizatë për të cilën dimë (Shoqata Kulturore Letoneze-Bullgare ‘Kirill dhe Metodij’). Në Lituani dhe Estoni ka komunitete që i ndjekim në rrjetet sociale dhe shihet se ata takohen, komunikojnë mes tyre, por nuk kanë organizatë, ose të paktën ne nuk dimë për një të tillë. Përveç kësaj, deri tani nuk kemi arritur të shkojmë as në Poloni, megjithëse atje ka dy shkolla bullgare dhe fëmijë prej tyre marrin pjesë në konkurset tona për fëmijë. Kështu që edhe ky është një shënim që e kemi parasysh për vitin 2026.”
Ekspozitë për Ditën e Kulturës Bullgare të Shoqërisë Kulturore Bullgare të Letonisë "Kirill dhe Metodij"
FOTO: aba.government.bg
Në fund të vitit 2024, znj. Manxhukova njoftoi krijimin e Portalit Informativ “103 hapa drejt suksesit”, në të cilin do të mblidhen të dhëna për të gjithë bullgarët nga jashtë vendit që janë shkolluar në universitetet tona sipas Vendimit nr. 103 të Këshillit të Ministrave, si edhe sipas vendimeve të mëparshme të qeverive në vitet 1992, 1991 dhe 1990. Aktualisht, ai është në formën e një ankete.
“Tani po bëjmë përpjekje që ajo të arrijë tek sa më shumë njerëz të jetë e mundur, në mënyrë që të plotësohet sa më shpejt. Por kini parasysh se që atëherë kanë kaluar më shumë se 30 vjet. Studentët e parë që erdhëm këtu jemi unë dhe edhe tetë kolegë, që nga viti 1989. Pastaj mbaj mend ardhjen e parë aventuriere të dy autobusëve me bullgarë nga jashtë vendit në tetor 1990, të organizuar nga Shoqata ‘Rodoljubec’. Një pjesë e madhe e tyre edhe sot janë këtu, sepse thjesht qëndruan në Bullgari. Pra, këto janë vërtet shumë vite dhe unë do të isha një optimiste e pajustifikuar nëse do të shpresoja se mund të arrijmë tek të gjithë këta njerëz, por iu drejtuam për ndihmë përfaqësuesve të universiteteve ku studiojnë persona të tillë, përmes rrjeteve të tyre, klubeve të ndryshme dhe kontakteve.”
Qendra Bibliotekare-Informative e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit
FOTO: aba.government.bg
Gjatë vitit të kaluar, në Agjencinë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit u krijua një Qendër Bibliotekare-Informative, e cila shpejt u shndërrua në një vend të preferuar për takime me bashkatdhetarë nga mbarë bota dhe në një vend ku shoqata të reja të bashkatdhetarëve hedhin hapat e tyre të parë.
Mes tyre ishte edhe Shoqata e shoqatave kulturore bullgare jashtë vendit, kryetare së cilës u zgjodh Vesella Rajçinova. Ndër ngjarjet e realizuara me mbështetjen dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Agjencisë gjatë vitit të kaluar ishin Festivali i Parë i Ansambleve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit, i mbajtur në Veliko Tërnovo, takimi-seminar i katërt krijues i Shoqatës së Ansambleve Folklorike Jashtë Vendit në Sofje, në kuadër të të cilit u prezantua filmi dokumentar “Magjia e valles bullgare” i gazetares Milena Millotinova, i xhiruar gjatë dy ngjarjeve të mëdha bullgare jashtë vendit në vitin 2025 – “Festa e shkronjave” në Milano (Itali) dhe “Në mejdanin e Bullgarisë tjetër” në Lion (Francë).
"Vallja e Madhe" në qendër të Lionit - pjesë e programit të festivalit "Në Sheshin e Bullgarisë Tjetër".
FOTO: BTA
Ndër planet e agjencisë për vitin aktual është organizimi i një seminari të ri me pjesëmarrjen e shoqatave bullgare nga mbarë bota, në të cilin të trajtohen tema të rëndësishme për bashkatdhetarët tanë. Një lloj i tillë takimi është jashtëzakonisht i dobishëm për të dyja palët, tregon përvoja pas forumit të parë të tillë të mbajtur në Budapest me temën “Modele të krijimit, menaxhimit dhe komunikimit në organizata të ndryshme të bullgarëve jashtë vendit”:
FOTO: aba.government.bg
“E zhvilluam atë pas Pashkëve – më 26 dhe 27 prill 2025, me ndihmën e Vetëqeverisjes Republikane Bullgare, me idenë për të paraqitur modele të ndryshme të organizatave bullgare në botë. 30 persona udhëtuan nga shtete të ndryshme për të qenë dëgjues gjatë këtyre dy ditëve.”
Në vitin 2026, takimi do të ketë një temë të re, një qytet pritës dhe pjesëmarrës të rinj – njoftoi Rajna Manxhukova, e bindur në dobishmërinë e një forumi të tillë. Ndërkohë, si gjithmonë deri më tani, edhe në vitin e ri Radio Bullgaria do të vazhdojë t’ju informojë për gjithçka të rëndësishme nga veprimtaria dhe iniciativat e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, si dhe për jetën, problemet dhe sukseset e komuniteteve bullgare në mbarë botën.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski